Marc Marquez është njeriu për t’u mundur në këtë sezon të ‘MotoGP’. Piloti spanjoll ka siguruar tjetër fitore në elitën e garave me motora, teksa e mbylli i pari në Brno, duke çuar në plot 120 pikë distancën me ndjekësin e tij më të afërt në renditje. Me triumfin e arritur në ‘Çmimin e Madh’ të Çekisë, Marc Marquez kompletoi një ecuri prej 5 fitoresh radhazi në këtë sezon, duke u bërë i pari pilot i Ducati-t që siguron një rekord të tillë historik për markën italiane. Ky është një rekord domethënës për atë se çfarë ka lënë tashmë pas vetes Marc Marquez, që vijon rrugëtimin drejt rikthimit si kampion bote. Në garën e Çekisë, ai la pas vetes Marco Bezzecchi-n, i cili edhe pse u përpoq që me Aprilia-n e tij t’i hapte telashe Marquez, e pati të pamundur të ruante të njëjtin ritëm deri në fund. Podiumi u plotësua me Pedro Acosta-n dhe KTM, që pas paraqitjes së mirë në garën ‘Sprint’ të së shtunës, bënë tjetër performancë të mirë, duke provuar se cirkuiti i Brno-s u përshtatet më së miri. Zhgënjimi më i madh i fundjavës ishte padyshim Alex Marquez. Vëllai i vogël i Marc, i cili është edhe ndjekësi i tij më i afërt në renditje, u rrëzua për të mos marrë as edhe një pikë gjatë kësaj fundjave, pavarësisht se në momente të caktuara, dha sinjale të mira.
Ndërkohë i pyetur pas garës edhe për rekordin e arritur si pilot i Ducati-t, Marc Marquez u përgjigj se e vetmja gjë që i intereson për momentin, është të vazhdojë me paraqitjet e mira e të shpërblejë punën e skuadrës. Për të, rëndësi ka vetëm titulli kampion dhe premtoi se do të vijojë të japë maksimumin garë pas gare, derisa të arrijë objektivin e tij.