MotoGP, Marc Marquez është i pakënaqur me Hondan e re

Sport

Marc Marquez nuk e mbylli si duhet sezonin e tij në ‘MotoGP’, teksa në garën e Valencias shihej si një pretendent për podiumin. Mirëpo spanjolli humbi kontrollin e Hondas së tij gjatë garës, duke mos i shkuar dot deri në fund. Për Marquez ky ishte nj tjetër sezon për t’u harruar, kryesisht për shkak të mungesave të gjata prej dëmtimit dhe operacionit në krahun e djathtë. Mirëpo ndryshe nga 2 vitet e kaluara, këtë herë Marquez dha sinjale të rikthimit të tij në nivelet më të larta. Shumë mendojnë se spanjolli do të jetë një nga kandidaët kryesorë për titullin kampion, por vetë 29-vjeçari nuk është i këtij mendimi. 6 herë kampioni i botës në ‘MotoGP’ u shfaq i zhgënjyer nga motori i ri i Hondas, me të cilin ai pati mundësinë të xhironte në pistën e Valencias pas mbylljes së sezonit. Honda ka prezantuar me motorin që mund të jetë në dispozicionin e tij për 2023-shin dhe vetë Marquez nuk është i kënaqur me rezultatet e marra. Ai u shpreh se tek Honda po përpiqen prej muajsh të bëjnë përmirësime të theksuara për sezonin e ardhshëm dhe tek motori që ai testoi në Valencia, priste shumë më shumë. Sipas 29-vjeçarit, nëse gjërat përgjatë këtyre muajve nuk do të ecin me ritëm të lartë, atëherë do të jetë e vështirë të garojnë si të barabartë me markat e tjera, me Ducati-n dhe Yamaha-n që mbeten më të distancuar se të tjerët. Piloti spanjoll e mbylli intervistën duke thënë se edhe ai vetë do të bëjë gjithçka që të ndihmojë inxhinierët e Hondas të vijojnë punën më ritëm të lartë, edhe nëse kjo do të thotë se Marquez nuk do të ketë mundësinë për pushime, pas një sezoni të gjatë dhe shumë stresues.