Marc Marquez pritet të jetë një pretendent i rëndësishëm për titullin kampion në sezonin e ardhshëm në ‘MotoGP’. Piloti spanjoll e ka lënë pas njëherë e mirë dëmtimin e tij në krahun e djathtë dhe në fundin e 2022-shit, dha sinjale të qarta për rikthimin në nivelet më të larta. Megjithatë, në intervistën e tij të fundit, Marquez është shprehur se krahu i thyer në 2020-ën, nuk do të jetë më kurrë njësoj për të. 6 herë kampioni i botës deklaroi se duke qenë se i është nënshtruar 4 operacioneve të ndryshme në krahun e djathtë, të gjithë duhet të kuptojnë se ai ka disa limite sa i përket sforcimit përgjatë garës. Ndryshe nga fillimi i sezonit të shkuar, kur Marquez ndjente dhimbje në kthesat e forta, tani 29-vjeçari e ka më të thjeshtë të manovrojë me Hondan e tij. Sipas spanjollit, kjo tregon se mori vendimin e duhur për t’iu nënshtruar një tjetër operacioni, pasi alternativa tjetër ishte të vazhdonte sezonin normalisht dhe në fund të shihte nëse mund të rezistonte ashtu. Por tani ai shfaqet plot besim se e ka lënë pas kalvarin e vuajtjeve nga dëmtimi i rëndë që pësoi në 2020-ën, ndonëse nuk premton menjëherë titullin kampion. Marquez thotë se testet pranë fillimit të sezonit do të tregojnë se çfarë duhet të presin tifozët prej tij dhe Hondas, por dëshira e spanjollit mbetet të rikthehet si protagonist mes më të mirëve në ‘MotoGP’.