Jorge Lorenzo me Ducati është fituesi i “Çmimit të Madh” të Austrisë në “MotoGP”. Spanjolli ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme, teksa mposhti në garën për vendin e parë shokun e tij të skuadrës, Andrea Dovizioso dhe kampionin e botës në fuqi, Marc Marquez. 3 pilotët shkëmbyen disa herë pozicionet me njëri-tjetrin, derisa në fund të garës, dueli mes Lorenzos dhe shokut të tij të ardhshëm tek Honda, Marquez, vulosi gjithçka. Pilotët spanjollë rrezikuan disi me manovrat e tyre, por në fund ishte Lorenzo ai që mori fitoren e tretë sezonale, që përkthehet edhe në podiumin e katërt për këtë vit.
Marquez nga ana tjetër u desh të kënaqej vetëm me vendin e dytë, ndërsa Dovizioso e mbylli i treti, një pozicion që vlen shumë për luftën për konstruktorë. Vendi i katërt për Cal Crutchlow, që ishte rreth 9.4 sekonda larg 3 kryesuesve. Petrucci u rendit i pesti, ndërsa vazhdojnë problemet për Yamahan, që pas si rezultatin më të mirë në këtë garë vendin e 6 të Valentino Rossit. Botërori i pilotëve gjithësesi vazhdon të udhëhiqet nga Marc Marquez me 201 pikë. Rossi ndjek i dyti me 142 pikë, ndërsa është afruar ndjeshëm Lorenzo, që tani numëron 130 pikë të grumbulluara. Ndërsa tek konstruktorët, diferencat mes Hondas e Ducatit vazhdojnë të jenë të vogla. Marka japoneze për momentin është në kuotën e 236 pikëve, ndërsa italianët ndjekin me 208 pikë.