MotoGP, Lorenzo beson se te Ducati mund të rivalizonte Marquez

Sport

Tërheqja e Jorge Lorenzos nga ‘MotoGP’ ishte një lajm që i befasoi të gjithë në fundin e vitit të kaluar. Piloti spanjoll ka shkruar historinë e këtij sporti dhe tifozët e tij prisnin që ai ta mbyllte karrierën në pistë në një mënyrë tjetër, sidomos pas disa viteve aspak të mira ku ndryshoi disa herë skuadër. Vetë Lorenzo gjithësesi nuk ka asnjë pendesë sa i përket këtij vendimi, pasi përsëriti se trupi i tij nuk i lejonte më të përformonte në mënyrën më të mirë të mundshme dhe dicka e tillë, në një sport si ky, Lorenzo thotë se ndikon shumë në rezultate. I pyetur rreth kohës që ai kaloi tek Ducati, spanjolli u shpreh se marka italiante u përpoq shumë që t’i jepte motorin e duhur, por rezultatet e punës së konstruktorëve filluan të jepnin rezultate vetëm pas
garave të para të sezonit të dytë të Lorenzos aty. 32-vjecari pranoi se investimi që marka italiane bëri tek ai ishte mjaft i madh, por nëse gjërat do të kishin ecur më shpejt, atëherë edhe rezultatet do të kishin qenë më të mira.

“Pas një vitit e gjysmë nuk kisha fituar asnjë garë. Ata kishin shpenzuar shumë për mua dhe kjo ishte si një humbje e madhe për Ducatin. Nëse motori që pata në garat e mia të fundit ata do të kishte qenë në dispozicion që në fillim, atëherë do të flisnim ndryshe. Jam i sigurt se nëse do të kisha pak më shumë kohë, do të rivalizoja shumë thjeshtë edhe me Marquez.”
Pas aventurës së tij me Ducatin, Lorenzo bëri kalimin tek Honda, ku kaloi një nga sezonet më të dobëta të karrierës së tij, derisa në garën e Valencias, në fund të vitit të kaluar, ai lajmëroi tërheqjen nga sporti që i dha thuajse gjithcka. Pavarësisht këtyre ndodhive, Lorenzo vijon të jetë pranë pistës, teksa shërben si pilot testues për skuadrën Yamaha, aty ku ai fitoi edhe titujt si kampion bote.