Largimi i Jack Miller nga skuadra zyrtare e Ducati-t bëri që shumë ta shihnin si një hap prapa në karrierën e pilotit australian, i cili nuk mendohet të jetë më protagonist në luftën për vendet e para. Mirëpo paraqitjet e bëra deri më tani nga ana e Miller me motorin ‘KTM’, mund të vendosin në pikëpyetje këto parashikime. Garë pas gare, Miller po përshtatet edhe më shumë me motorin e tij të ri, ndërkohë që shoku i tij i skuadrës, Brad Binder aktualisht mban vendin e tretë të renditjes, me 13 pikë më pak se sa Bagnaia kryesues. Gjatë 5 garave të para të sezonit, Miller ka provuar se mund të ketë një ritëm të lartë, të ngjashëm me atë të pilotëve të Ducati-t. Australiani po punon shumë për të nxjerrë më të mirën e tij me ‘KTM’-ën dhe këtë e pranon edhe drejtuesi kryesor i kësaj skuadre, Francesco Guidotti. Sipas tij, Miller po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për inxhinierët sa i përket ndryshimeve dhe përmirësimeve që duhen bërë tek motori. Për Guidotti-n, kjo vjen sepse Miller kërkon të provojë se mbetet një ndër pilotët më të mirë në ‘MotoGP’ dhe se ende ka mundësinë të luftojë për gjëra të rëndësishme. Në fakt, vetë piloti australian deklaronte pak ditë më parë se tek ‘KTM’-ja mund të ketë shansin e fundit për të luftuar për titullin kampion. Edhe pse për momentin, motorët e Ducati-t janë një hap më përpara, 28-vjeçari është i bindur se ‘KTM’-ja mund të arrijë të duelojë si e barabartë me markën italiane, por për këtë, duhet që si ai, edhe skuadra, të vijojnë të punojnë me të njëjtin ritëm, për të nxjerrë më të mirën e tyre gare pas gare. Aktualisht, Miller mban vendin e 8 në renditjen e përgjithshme për pilotë me 49 pikë të grumbulluara, teksa ishte i pafat në garën e Francës, ku nuk ia doli ta mbyllte si duhet.