MotoGP, Jorgen Martin thotë se e ka vuajtur mungesën e ofertës nga Ducati

Sport

Jorge Martin është një nga pilotët më të talentuar në botën e ‘MotoGP’, me spanjollin që ka bërë paraqitje shumë të mira me motorin Ducati të skuadrës ‘Pramac’. Sezonin e shkuar, Martin shihej në balotazh me Enea Bastianini-n, si dy alternativat e skuadrës zyrtare të Ducati-t, sa i përket zëvendësuesit të Jack Miller. Me pilotin australian që do të largohej në fundin e 2022-shit, Martin e Bastianini dueluan në distancë për një vend tek Ducati, por në fund, zgjedhja e markës italiane do të ishte pikërisht Bastianini. Jorge Martin ka folur për herë të parë në lidhje me këtë situatë, duke e pranuar se e ka vuajtur shumë faktin që skuadra zyrtare e Ducati-t nuk i bëri një ofertë zyrtare për të pilotuar me ta në sezonin aktual. 25-vjeçari shpjegon se në mesin e sezonit të shkuar ishte entuziast për mundësinë që mund t’i vinte nga Ducati, duke marrë në konsideratë faktin se ai e njihte mirë motorin e tyre, falë punës së bërë tek skuadra ‘Pramac’. Për më tepër, Martin ishte besimplotë se me paraqitjen e bëra deri në ato momente në ‘MotoGP’, kishte provuar se mund të arrinte rezultate të rëndësishme me një motor edhe më të shpejtë. Por për fatin e tij të keq, drejtuesit e skuadrës zyrtare të Ducati-t, vendosën të vazhdonin më tej me Enea Bastianini, i cili duhet theksuar se në sezonin e shkuar, arriti rezultate fantastike me skuadrën ‘Gresini’. Megjithatë, aventura e Bastianini-t si pilot i Ducati-t nuk po shkon siç ishte menduar, me italianin që u rrëzua në garën ‘Sprint’ në Portugali, duke pësuar një dëmtim që nuk e ka lejuar të garojë në 3 ndalesat e para të botërorit. Ndërsa Martin mban për momentin vendin e 11 në renditje, me 29 pikë, teksa në garën e fundit, në Austin, u përfshi në një aksident me Alex Marquez