MotoGP, Jorge Martin i zhgënjyer me garën në Australi, spanjolli kërkonte fitoren

Sport

Alex Rins ia doli të triumfonte në Philip Island, në një garë të jashtëzakonshme të pilotit të Suzukit për ‘Çmimin e Madh’ të Australisë. Spanjolli la pas vetes Marc Marquez dhe Francesco Bagnaia-n, por një nga ata që është zhënjyer më shumë që nuk arriti një fitore është Jorge Martin. Piloti i skuadrës ‘Pramac’ u rendit në vendin e shtatë, por pati një distancë prej vetëm 8 të dhjetash nga fituesi i garës, çfarë tregon se i gjithë grupi i pilotëve përpara tij, pati një shans të mirë për të triumfuar. Në ‘MotoGP’ është e vështirë të gjesh një grup kaq të madh pilotësh në një distancë kaq të vogël nga fitorja dhe Martin ende nuk e kapërcën faktin që humbi një shans të mirë për të siguruar një sukses të rëndësishëm. Piloti spanjoll e pranoi se e kishte vendosur si objektiv për të luftuar deri në fund për fitoren, duke parë edhe faktin që e niste nga ‘pole-position’. Ducati i tij po bënte një punë shumë të mirë në pjesën më të madhe të garës, por më pas filloi të vuante konsumin e gomave dhe humbi disa duele të rëndësishme me pilotët që në fund do ta mbyllnin në podium. Martin zbulon se nuk ndjente sigurinë e duhur tek motori sa i përket momentit të frenimit, sepse në shpejtësi, ishte i bindur se mund të rivalizonte me këdo. Ai e sheh si një shans të humbur atë se çfarë ndodhi në Philip Island, ndonëse nuk e pranoi që po vuante edhe presionin e vazhdueshëm të Rins, Marquez apo Bagnaia, që i qëndruan në një distancë shumë të afërt për një kohë të gjatë, përpara se të kryenin lëvizjet e tyre ndaj pilotit të skuadrës ‘Pramac’. Gjithësesi, Martin tashmë kërkon të shohë drejt garave të fundit të sezonit, duke menduar edhe për sezonin e ri, ku ai vetë e ka të qartë se çfarë duhet të ndryshojë. Emri i tij u përfol shumë si zëvendësuesi i Jack Miller tek skuadra zyrtare e Ducati-t, mirëpo në fund e humbi duelin me Enea Bastianini, i cili mori besimin e drejtuesve të markës italiane, duke firmosur një kontratë për sezonin e ardhshëm.