MotoGP, Jorge Lorenzo arrin fitoren e parë me Ducatin, zhgënjen Marquez

Sport

jorgeee
Jorge Lorenzo është fituesi i garës së Mugellos në Itali për vitin 2018. Piloti spanjoll ka dhuruar një performancë të shkëlqyer gjatë fundjavës italiane në “MotoGP”, duke arritur në këtë mënyrë edhe fitoren e parë të tij me Ducatin, që kur u transferua sezonin e kaluar. Lorenzo ia doli të merrte kryesimin e garës që në fillim dhe ia doli ta ruante mjaft mirë deri në fund, duke qenë thuajse perfekt. Kërcënimi i tij i vetëm në fakt do të ishte Marc Marquez, që u shfaq mjaft agresiv që në startin e garës. Mirëpo njësoj si vitin e shkuar në këtë pistë, kampioni në fuqi e pa veten të rrëzohej, duke i dhënë mundësinë kundërshtarëve të garonin të qetë.

marc

Edhe vendi i dytë shkoi për Ducatin, me Andrea Dovizioson që e mbylli 6.3 sekonda pas Lorenzos. Ndërsa fituesi i “pole-position”-it, idhulli i tifozerisë italiane, Valentino Rossi e mbylli në vendin e tretë. Paraqitje e mirë edhe për Suzukin, që pa Iannonen dhe Rins të renditeshin në vendet 4 dhe 5. Megjithatë, edhe pas kësaj gare, Marc Marquez vazhdon të udhëheqë klasifikimin e përgjithshëm për pilotë me 95 pikë. Ndjekësit e tij më të afërt për momentin janë dy pilotët e Yamahas, Rossi me 72 pikë dhe Vinales me 67, me këtë të fundit që ka vetëm 1 pikë më shumë se Dovizioso i Ducatit.