Nga sezoni i ardhshëm, Jack Miller nuk do të jetë më pjesë e skuadrës zyrtare të Ducati-t në ‘MotoGP’. Australiani do të mbetet më një motor të markës italiane, por si pjesë e skuadës ‘Pramac’, ku do të provojë të arrijë edhe njëherë formën e tij më të mirë. Miller ka folur së fundmi rreth gjërave që kanë ndryshuar tek Ducati që nga dita e parë që ai u bë pjesë e tyre. Marka italiane është dalluar gjithnjë për shpejtësinë në vijat e drejta, ku gjithnjë fitonte kohë ndaj rivalëve si Yamaha, Honda, KTM apo Aprilia. Mirëpo gjërat sipas Miller tashmë kanë ndryshuar. Edhe pse Ducati mbetet motori më i shpejtë në vijat e drejta, distancat me rivalët nuk janë më si dikur.
Kjo ka bërë që sipas australianit, të mos ketë më pista që të konsiderohen si të favorshme për markën italiane. Sipas tij, ndarja e favoritëve në pista të caktuara për shkak të pjesëve teknike, është diçka që tashmë duhet t’i përkasë së kaluarës, pasi motorët janë bërë gjithnjë e më të ngjashëm. Aprilia po ia del të performojë në mënyrë të shkëlqyer edhe në pistat teknike, një gjë që ka ditur ta rregullojë edhe vetë Ducati. Miller u ndal tek fakti që marka italiane ka arritur të fitojë gara si ato në Assen, Jerez apo Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që historikisht nuk janë konsideruar të përshtatshme për një Ducati.
Në këtë mënyrë, është e vështirë që edhe të bësh parashikime përpara garës, pasi me këto diferenca të vogla që ekzistojnë mes protagonistëve, Miller beson se shumë gjëra varen nga episodet apo duelet e drejtpërdrejta në pistë. Jack Miller mban vendin e 7 në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 92 pikë të grumbulluara. Australiani e ka patur të vështirë përgjatë këtij sezoni të respektojë pritshmëritë ndaj tij, duke siguruar podiumin vetëm në 3 raste, nga 11 gara të zhvilluara. Sa i përket luftës së konstruktorëve, Ducati udhëheq me 246 pikë, plot 74 më shumë se sa rivalët e Yamaha-s, që për momentin mbajnë vendin e dytë.