Andrea Iannone nga sezoni i ardhshëm do të jetë piloti i Aprilias. Skuderia italiane arriti marrëveshjen me 28-vjeçarin që këtë sezon garon për Suzukin. Fillimisht u përfol se kontrata mes palëve ishte ajo standartja në “MotoGP” prej 2 vitesh, por vetë Iannone ka zbuluar një detaj, që e bën bashkëpunimin e tij me Aprilia ndryshe.Piloti italian shprehet se mes tij dhe skuadrës së tij të re ka disa klauzola të veçanta, që mund ta çojnë bashkëpunimin mes palëve përtej 2 viteve.
Iannone thotë se beson tek projekti i Aprilias dhe e di që fillimisht mund të jetë e vështirë për të arritur rezultate, por ai është i sigurt se me kalimin e kohës do t’ja dalë të përmbushë objektivat e vendosur. Tek marka italiane mendojnë që Iannone të kthehet në një simbol për ta në vitet pasardhëse, me një skuadër totalisht italiane.
Tek Aprilia, Andrea Iannone do të zërë vendin e Scott Redding dhe do të ketë si shok skuadre Aleix Espargaro. Këtë sezon të “MotoGP”, me motorin Suzuki, Iannone ia ka dalë të dhurojë performanca të mira. Në 6 gara, ai ka grumbulluar 66 pikë, teksa ka arritur 2 herë podiumin.