Ashtu siç ishte përfolur edhe përpara disa javësh, Pol Espargaro do të jetë pilot i Hondas nga viti 2021. Marka japoneze ka bërë zyrtare të gjitha lëvizjet për në sezonin e ardhshëm, ku Espargaro do të marrë vendin e Alex Marquez në skuadrën e parë. Vëllai i vogël i kampionit të botës do të zhvendoset tek skuadra satelite e Hondas, ‘LCR’, pasi drejtuesit e kësaj të fundit vendosën të largonin pilotin britanik, Cal Crutchloë. Pol Espargaro dhe Alex Marquez kanë firmosur kontrata 2-vjeçare me skuadrat e reja, ndërkohë që drejtuesit e Hondas janë të bindur se këto lëvizje janë më të mirat e mundshme për të gjitha palët e përfshira. Ka qenë periudhë rinovimesh edhe për skuadrën ‘Petronas Yamaha’, që firmosi një kontratë të re me pilotin italian, Franco Morbidelli, deri në vitin 2022. 25-vjeçari pritet të jetë nga sezoni i ardhshëm, shok skuadre me legjendën Valentino Rossi, ndonëse për momentin ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Ndërkohë tek Ducati vijon saga e rinovimit të kontratës së Andrea Doviziosos, ndonëse prej kohësh të dyja palët e përfshira kanë shfaqur vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin. Nuk është më sekret fakti që termat ekonomik të propozuar nga marka italiane nuk përkojnë me kërkesat e pilotit 34-vjeçar. Edhe drejtori i ‘Pramac’, skuadrës satelite të Ducatit, Francesco Guidotti beson se fakti që çështja e rinovimit ka marrë kaq shumë kohë, do të thotë se lidhja mes Ducatit dhe Dovizosos nuk është më e njëjta si në sezonet e kaluar.