Skuderia japoneze Honda duket të jetë ende e pavendosur sa i përket zgjedhjes së pilotit që do të jetë përkrah Marc Marquez nga sezoni i ardhshëm. Ditët e fundit thuhet se është rritur shumë mundësia që Dani Pedrosas t’i rinovohet kontrata, kjo pasi alternativat e tjera nuk duket të jenë dhe aq bindëse. Yohann Zarco, i cili ishte edhe zgjedhja e parë për drejtuesit e Hondas, bëri të ditur disa ditë më parë se me shumë gjasa sezonin e ardhshëm do t’i bashkohet “KTM”-s, kurse Andrea Dovizioso, pavarësisht se refuzoi ofertën e parë për rinovim të Ducatit, duket se deri ne fund të sezonit do të ketë gjetur gjuhën e përbashkët me skuadrën italiane. Nga ana tjetër, 32-vjeçari Pedrosa zhvilloi një garë mjaft bindëse në Austin, teksa u rendit i 7, vetëm 12 ditë pasi kishte thyer kyçin e dorës në Argjentinë.
Në këtë mënyrë, shanset që Pedrosa të jetë shoku i skuadrës së Marquez edhe sezonin tjetër duken mjaft të larta. Alternativë tjetër intriguese për drejtuesit e Hondas është vetëm Joan Mir. Piloti 20-vjeçar, kampion i Moto3 ka arritur rezultate mjaft të mira në debutimin ne Moto2 dhe tek aftësitë e tij shihen të njëjtat gjëra si tek Marc Marquez. Por pavarësisht gjithë këtyre, drejtori i Hondas, Alberto Puig shprehet se për momentin skuadra do të marre më shumë kohë, për të parë rezultatet e pilotëve përgjatë këtij sezoni dhe për t’i analizuar ato, në mënyrë që të bëhet zgjedhja e duhur, e cila do të garantojë vazhdimin e sukseve të Hondas në MotoGP.