MotoGP, Honda gati t’i bësojë një rol më të rëndësishëm Alex Rins

Sport

Alex Rins kompletoi një fundjavë perfekte në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e mbyllur si fitues i garës. Piloti spanjoll pati një fundjavë të jashtëzakonshme në Teksas, me paraqitje që nuk shiheshin prej kohësh nga Honda në provat zyrtare dhe garën ‘Sprint’. Në fakt, Rins është i pari pilot i markës japoneze që ia del të fitojë një garë në ‘MotoGP’ që nga 2018, përveç Marc Marquez, që sigurisht, ka qenë fytyra kryesore e tyre.

3 ditë përpara garës në Austin, Alex Rins ishte shprehur në media se ndihej ‘i lënë mënjanë’ nga ana e Hondas, duke shfaqur bindjen se mund të bëjë shumë gjëra të mira për markën japoneze, nëse merr besimin e duhur. Padyshim që triumfi i arritur në Austin e provon më së miri diçka të tillë dhe tek Honda janë bindur se Rins meriton më shumë vëmendje. Siç mediat zbulojnë, drejtuesit e markës japoneze janë të gatshëm t’i japin një mbështetje më të madhe Rins, i cili duhet thënë që është pjesë e skuadrës satelite të Hondas, ‘LCR’ dhe jo asaj zyrtare, ku në krahë të Marquez është Joan Mir, ish-shoku i skuadrës së Rins tek Suzuki. Por pavarëisht kësaj, tek Honda kanë kërkuar që të punohet me kujdes me Rins, pasi duke parë mungesat e shpeshta tashmë të Marc Marquez dhe kohën që kërkon Joan Mir për t’u përshtatur. Kështu, piloti spanjoll i ‘LCR’ mbetet opsioni më i mirë për ta. Vetë 27-vjeçari është i gatshëm të bëjë gjithçka për t’i ardhur në ndihmë skuadrës së tij dhe nëse do të gjejë bashkëpunimin e duhur për ndryshimet që sipas Rins duhen bërë tek motori Honda, atëherë është i sigurt se do të arrijë rezultate të rëndësishme.