MotoGP, Frikë për Bagnaia-n, me Aprilia-n që dominoi në Barcelonë

Sport

Të gjithë prisnin një përballje të fortë të Francesco Bagnaia-s me dy pilotët e Aprilia-s, Aleix Espargaro dhe Maverick Vinales, në luftën për të triumfuar në ‘Çmimin e Madh’ të Katalunjës, por gjërat nuk shkuan aspak sipas parashikimeve. Metrat e parë të nisjes do të largoheshin plotësisht nga emocionet e sportit, teksa kampioni i botës do të përfshihej në një aksident të frikshëm. Bagnaia do të humbiste kontrollin e Ducati-t të tij në daljen nga kthesa e dytë, duke u rrëzuar në mes të pistës. Duke qenë se nisej nga ‘pole-position’, të gjithë pilotët e tjerë vinin me shpejtësi të lartë pas tij. Brad Binder e pati të pamundur kontaktin me italianin, duke kaluar ‘KTM’-ën e tij mbi këmbët e kampionit të botës. Menjëherë do të valvitej flamuri i kuq, teksa në cirkuitin e Barcelonës do të pllakoste heshtja. Në mënyrë të pabesueshme, Bagnaia ia doli ta kalonte këtë moment vetëm me disa dëmtime traumatike tek këmbët e tij, me stafin mjekësor që u kujdes për të në kohë rekord.

Gara do të riniste pa Bagnaia-n, por edhe pa pilotin tjetër të Ducati-t zyrtar, Enea Bastianini, i cili ishte shkaktar i një tjetër aksidenti, që në kthesën e parë. Kështu, gjërat do të bëheshin shumë të thjeshta për dyshen e Aprilia-s, Espargaro e Vinales, që garën do të kishin ndaj njëri-tjetrit. Jorge Martin i skuadrës ‘Pramac’ u përpoq të prishte festën e markës italiane, por e pati të pamundur të kishte të njëjtën vazhdimësi si rivalët. Vinales do të kishte kontrollin e garës për pjesën më të madhe të kohës, derisa gjërat për 28-vjeçarin do të komplikoheshin për shkak të konsumit të gomave. Me rregullin e ri të presionin të ajrit në gomat që përdoren në garë, konsumi tek to pritet të jetë më i madh dhe Vinales ishte ndër të parët që pagoi diçka të tillë, duke e mbyllur i dyti pas Aleix Espargaro. Një triumf historik për skuadrën Aprilia, që për herë të parë që kur janë bërë pjesë e ‘MotoGP’ ia dalin të rendisin dy pilotët e tyre në vendin e parë e të dytë. Podiumi u plotësua nga Jorge Martin, teksa nuk pati surpriza në prapavijë, me një tjetër garë zhgënjyese nga Marc Marquez e Honda.