Aleix Espargaro nuk ia doli të ishte një pretendent për titullin kampion në ‘MotoGP’ deri në garën e fundit. E vetmja gjë për të cilën spanjolli luftonte në Valencia, ishte vendi i tretë i renditjes së përgjithshme për pilotë. Në garën finale të sezonit, Espargaro vinte me 1 pikë më shumë se italiani Enea Bastianini, teksa në pistën e Valencias nisej 3 pozicione përpara pilotit të skuadrës ‘Gresini’. Mirëpo një problem në motorin Aprilia bëri që Espargaro të zbriste shumë shpejt në vendet e fundit, teksa 4 xhiro nga përfundimi i garës, u tërhoq plotësisht. Kjo ishte hera e parë përgjatë 2022-shit që Aleix Espargaro nuk e mbyllte dot një garë, që vetë spanjolli e cilësoi si më të dobtën e gjithë karrierës së tij.
“U përpoqa të jepja gjithçka. Për mua, ishte si një ëndërr ta mbyllja në vendin e tretë dhe në prova e pashë që isha më i shpejtë se sa Bastianini, prandaj ndihesha gati për një rezultat të rëndësishëm. Por motori pati probleme dhe më duhej të tërhiqesha. Më vjen vërtet keq.”
Espargaro shtoi se ende nuk e di se çfarë nuk shkoi me Aprilia-n e tij në garën e Valencias, por dëshpërimin për atë që ndodhi e ka shprehur tek drejtuesit e skuadrës. Bastianini ndërkohë mori 8 pikë nga gara e fundit e këtij viti, duke siguruar edhe vendin e tretë në renditjen e përgjithshme për pilotë.