Francesco Bagnaia u dorëzua në sezonin që lamë pas të ‘MotoGP’ ndaj Jorge Martin, i cili pas dy viteve të dominuara nga piloti italian, ia doli të shpallej kampion i botës. Lufta për titullin në elitën e garave me motora u përqëndrua sërish tek dyshja Bagnaia-Martin, me këtë të fundit që këtë herë, u shfaq dukshëm më i pjekur për të menaxhuar emocionet dhe garat. Martin ka marrë vazhdimisht përgëzimet dhe respektin e kundërshtarit të tij Bagnaia, por kjo gjë nuk është se u ka pëlqyer shumë drejtuesve të Ducati-t. Mediat kanë zbuluar disa prapaskena tek marka italiane, ku Tardozzi i ka kërkuar Bagnaia-s për të mos u shfaqur shumë ‘gentlemen’ ndaj kundërshtarit të tij, Martin. Të dy pilotët kanë qenë të kujdesshëm edhe me fjalët ndaj njëri-tjetrit në konferencat për shtyp, teksa edhe në pistë, rrallëherë kanë shkuar përtej limiteve, duke qenë të kujdesshëm edhe në duelet direkte. Tardozzi i ka kërkuar pilotit kryesor të Ducati-t të jetë më i ashpër, si në deklaratat në media, edhe në pistë, në mënyrë që të shtojë presionin ndaj kundërshtarit. Gjithësesi, pavarësisht këtyre kërkesave, Bagnaia nuk ia ka dalë mbanë të ndalë rrugën drejt titullit kampion për Martin. Kërkesat e Tardozzi-t dhe drejtuesve të tjerë kanë ardhur edhe prej faktit se Martin, pavarësisht se në sezonin që triumfoi garonte me një motor Ducati, kishte lajmëruar kalimin e tij tek Aprilia. Kështu, numri 1 i botës nga sezoni i ardhshëm do të garojë për markën Aprilia, diçka që nuk kapërcehet lehtë nga ana e drejtuesve të Ducati-t.