Skuadra Ducati është e vetmja mes markave të mëdha që nuk ka konfirmuar se cilët do të jenë pilotët e tyre për vitin 2021. Italianët mendojnë që edhe për sezonin në fjalë, piloti kryesor i skuadrës të jetë Andrea Dovizioso. Por ky i fundit ende nuk ka gjetur një marrëveshje me drejtuesit e Ducatit, çfarë dita-ditës duket se komplikon akoma më shumë situatën. Në fakt, palët janë prej kohësh në bisedime për zgjatjen e kontratës së Doviziosos, por pretendimet e pilotit për momentin nuk mund të plotësohet nga ana e drejtuesve të Ducatit. Pas 6 fitoreve që arriti në vitin 2017, Dovizosos iu përmirësua kontrata, nga 1,5 milionë, në 6 milionë euro. 34-vjeçari nuk pranon të ulë pagën e tij dhe për këtë, është i gatshëm edhe të garojë për një markë tjetër. Pak kohë më parë u përfol se piloti italian mund të bëhej pjesë e ‘KTM’, por shefi i kësaj skuadre, mohoi gjithçka, duke konfirmuar piltotët aktualë. Kështu, alternativa më e mirë për Dovizioson mbetet Ducati, që nga ana tjetër, mund të surprizojë duke afruar edhe një emër si Valentino Rossi. Prioritet mbetet Dovizioso, por në rast se ky i fundit nuk do të ulë pretendimet ekonomike, atëherë marka italiane mund të fillojë të mendojë për mundësitë e tjera. Sezonin e shkuar, piloti italian nuk ia doli të rivalizonte siç ishte menduar Hondan e Marc Marquez, i cili ia doli të siguronte edhe një titull tjetër si kampion bote. Nga ana tjetër, edhe piloti i dytë i Ducatit, Danilo Petrucci, ishte shumë larg paraqitjeve që drejtuesit kishin menduar kur firmosën me të rreth 1 vit më parë.