Andrea Dovizioso mund të mos jetë më pjesë e Ducatit nga sezoni i ardhshëm. Piloti italian ka refuzuar rinovimin me Ducatin, pasi sipas agjentit te tij, Simone Battistella, oferta nuk ka qenë më mira e mundshme. “Piloti nuk kërkon diçka jashtë normales, asgjë të pamundur, por vetëm atë që ai meriton me punën e bërë”. -citohet të ketë thënë Battistella.
Arritja e një marrëveshjeje për momentin duket e vështirë, duke qenë se më herët në fillim të sezonit, drejtuesit e kësaj skuadre Luigi Dall’Igna dhe Paolo Ciabatti, janë shprehur se Ducati nuk ka buxhetin e duhur për të përballuar dy pilotë me rrogë mbi 10 milione euro në sezon. Megjithatë, pavarësisht këtij refuzimi të Doviziosos dhe faktit se 32-vjeçari ka patur kontakte me skuadra të tjera si Honda e Suzuki, tek Ducati mbeten të qetë dhe optimistë tek arritja e një marrëveshjeje, duke qenë se të dyja palët kanë vendosur të finalizojnë tratativat në fund të sezonit, duke parë edhe rezultatet e Dovizosos apo Lorenzos.