MotoGP, Dovizioso nuk e sheh Ducatin si favorit në garën e Austrisë

Sport

motogp

Andrea Dovizioso nuk ia ka dalë mbanë të ruajë ritmin e vitit të kaluar, kur luftoi deri në garën e fundit me Marc Marquez për titullin kampion bote në “MotoGP”. Piloti italian dhe Ducati i tij kanë shfaqur ulje-ngritje përgjatë sezonit aktual dhe vetë Dovizioso kërkon t’u japë fund zërave se janë favoritë.
Kryesisht bëhet fjalë për garën e Austrisëm që është cilësuar së fundmi si një pistë e Ducatit. Dovizioso shprehet se gjërat kanë ndryshuar shumë dhe që Ducati të arrijë suksese të mëdha në “MotoGP”, nuk duhet të varet vetëm nga rezultatet e marra në ato që konsiderohen si “pista të tyre”.
“Ne tani jemi më kompetitivë në të gjitha pistat e sigurisht që kjo mund të na ketë kushtuar avantazhet që mund të kishim në pista që na përshtateshin. Është më e rëndësishme të jesh i shpejtë e i qëndrueshëm në të gjitha pistat se sa të arrish fitoren vetëm në disa prej tyre.”
Një shpjegim tjetër i 32-vjeçarit në lidhje me këtë është edhe ndikimi i madh që kanë konsumi i gomave apo temperatura e pistës, çfarë kanë bërë sipas tij që Honda, Yamaha apo Ducati, të kenë thuajse të njëjtin rendiment në garë.