Andrea Dovizioso është fituesi i garës së pare sezonale të MotoGP për vitin 2018. Italiani ia doli të fitonte një garë mjaft të luftuar, që dhuroi duele dhe emocione të jashtëzakonshme deri në metrat e fundit të pistës së Katarit.
Yohann Zarco mori fillimisht kryesimin duke u provuar edhe njëherë të gjithëve se mungesa e një motorri konkurues është e vetmja gjë që e ndalon të luftojë për titull.
Por pasi kishte kaluar thuajse gjysma e garës, rendimenti i motorrit të Tech3 filloi të ulej, dhe francezi u kalua nga Marquez, Rossi dhe Dovizioso.
Pikërisht mes 3 të fundit ishte dhe beteja për fitimin e garës, që pa në fund ndryshime pozicionesh në metrat e fundit mes Dovizioso dhe Marquez. Piloti i Ducatit arriti të kalojë kampionin e botës në fuqi në kthesën e fundit dhe kaloi finishin vetëm 0.27 të qindtat më shpejt se Marquez, që u kënaq me vendin e dytë.
Kështu Dovizioso konfirmon forcen e Ducati,ashtu si vitin e kaluar, ndërsa podiumi u plotësua nga Valentino Rossi i Yamahas.
Paraqitje të mire bënë edhe Cul Crutchlow dhe Danilo Petrucci që u renditën në vendet 4 dhe 5, me Vinales dhe Pedrosan pas tyre. Zhgënjen Ducati tjetër, ai i Lorenzos, që nuk ia doli dot ta mbyllte garën.