MotoGP do të zbarkojë edhe në Kazakistan; ‘Dorna’ zyrtarizon marrëveshjen

Sport

Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, ‘MotoGP’ do të dhurojë spektakël edhe në shtetin e Kazakistanit. ‘Dorna Sports’ kanë zyrtarizuar arritjen e një marrëveshjeje me Kazakistanin, për ta bërë pjesë të kalendarit të tyre për vitin 2023, me motorrët që do të xhirojnë në pistën e sapondërtuar në qytetin më të madh të vendit, Almaty. ‘Sokol Circuit’ quhet kompleksi që do të presë elitëne garave me motora nga sezoni i ardhshëm dhe shihet si një nga investimet më të rëndësishme të Kazakistanit sa i përket motorsportit. Për ‘MotoGP’, do të jetë hera e parë që do të xhirohen gomat në këtë shtet, që ka garantuar mbarëvajtjen e një fundjave plot emocione në pistën e ‘Sokol Circuit’. Në këtë mënyrë, që nga viti 1949, Kazakistani bëhet vendi i 30 në botë, që do të presë një garë të ‘MotoGP’, me kalendarin e sezonit të ardhshëm që vazhdon të zgjerohet më tej. Më herët, ‘Dorna’ pati lajmëruar arritjen e një marrëveshjeje edhe me autoritetet indiane, ndërkohë që si objektiv shihet edhe garimi në vitet e ardhshme në Arabinë Saudite. Spektakli në ‘MotoGP’ pritet të jetë edhe më i madh në sezonin e ardhshëm, jo vetëm për shkak të pistave të reja apo numrit të madh të garave, por edhe prej ndryshimeve në strukturën e fundjavës. Nga 2023-shi, ‘MotoGP’ do të ketë garat sprint në çdo ndalesë të botërorit, që do të përcaktojë linjën e nisjes për garat e së dielës, por njëkohësit do të shtojë edhe më shumë interesin e publikut për të ndjekur performancat e pilotëve gjatë së shtunës. Sezoni i ri i ‘MotoGP’ do të nisë në 26 mars të 2023-shit, në Portugali. Katari, që në vitet e fundit ka qenë tradicionalisht gara hapëse e botërorit, nuk mund të përfundojë në kohë punimet në pistën e Losail, prandaj ‘Dorna’ është detyruar të nisë gjithçka nga Portimao.