Skuderia kampione në fuqi e “MotoGP”, Honda, ka konfirmuar se Dani Pedrosa nuk do të jetë më pjesë e skuadrës duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Drejtuesit e markës japoneze kanë vendosur të mos rinovojnë kontratën e pilotit spanjoll, i cili është pjesë e Hondas që prej vitit 2006.Pedrosa ka patur një fillimsezoni mjaft të vështirë përgjatë 2018-ës, pasi në 6 gara nuk ia ka dalë ende asnjëherë të arrijë podiumin, ndërkohë që në renditjen e përgjithshme, është vetëm i 12-i, në një kohë që shoku i tij i skuadrës, Marc Marquez vazhdon të dominojë kampionatin.
Largimi i Pedrosas pas plot 12 vitesh tek Honda do të detyrojë kështu drejtuesit japonezë të vihen në kërkim të një piloti tjetër për vitin e ardhshëm. Fillimisht u përfol se francezi Yohann Zarco ishte dëshira e madhë e Hondas, por piloti aktual i Tech3 preferoi të firmoste me KTM-ën. Gjithashtu kampioni i “Moto3”, Joan Mir shihej si një zgjedhje interesante, por piloti i ri preferoi të hynte në bisedime me Suzukin.Megjithatë alternativat nuk mungojnë. Andrea Iannone dhe Jorge Lorenzo thuhet të jenë kandidatët më të fortë, por që vendimi final i Hondas, do të varet edhe nga preferencat e Marc Marquez, që nuk do të donte që një rival për titullin kampion të ketë të njëjtin motorr si ai.