Moto GP, Cal Crutchlow mendon se Honda është motorri më i vështirë për t’u pilotuar dhe jo Ducati

Sport

cal19
Cal Crutchlow e nisi sezonin e ri të MotoGP mjaft mirë, pasi e përfundoi në vendin e 4 me motorrin e tij LCR Honda. Piloti britanik është përfolur prej ditësh në lidhje me një kalim të tij tek skuderia kampione e botës në fuqi, Honda, ku mund të marrë vendin e Dani Pedrosa nga sezoni i ardhshëm. Në një intervistë të dhënë së fundmi, 32-vjeçari ka refuzuar të komentojë këto spekulime dhe u shpreh vetëm se për të, motorri që aktualisht pilotohet nga Marc Marquez dhe Dani Pedrosa, është më i vështiri në MotoGP.

cal
Crutchlow mendon se pavarësisht triumfeve të Marc Marquez në sezonet e fundit, Honda nuk mund të pilotohet nga çdokush. Kjo deklaratë ka ndezur disi diskutimet pasi prej kohësh është motorri Ducati ai që gjerësisht cilësohet si më i komplikuari. Në fakt diçka e tillë është e provuar pasi as Valentino Rossi nuk ia doli dot të korrte sukses tek skuderia italiane, njësoj siç po zhgënjen aktualisht edhe Jorge Lorenzo. Casey Stoner dhe Nicky Hayden jane konsideruar gjithmonë si dy pilotët e vetëm që arritën të merrnin më të mirën nga skuderia italiane. Diçka të tillë po e bën edhe Andrea Dovizioso, që pas triumfit në garën e parë në Katar, mbetet një pretendent për titullin kampion.