Marco Bezzecchi është duke zhvilluar një sezon mjaft të mirë në ‘MotoGP’, duke siguruar deri më tani dy fitore, për një total prej 5 podiumesh deri në këtë pikë të botërorit të garave me motora. Piloti italian shihet si një ndër pretendentët për titull, pasi mban vendin e tretë në renditjen e përgjithshme për pilotë me 183 pikë, vetëm 6 më pak se sa Jorge Martin i vendit të dytë. Ndërsa Francesco Bagnaia vijon të jetë në krye me 251 pikë të grumbulluara. Për Bezzecchi-n, ky është vetëm viti i tij i dytë në kategorinë më të rëndësishme të garave me motora, pas një debutim mjaft të mirë në sezonin e kaluar. Mirëpo emri i tij është përfolur shumë për një kalim tek ndonjë nga skuadrat e tjera, duke qenë se tek ‘VR46’, ai piloton një Ducati të modelit të vitit të kaluar. Të gjithë mendojnë se nëse Bezzecchi do të kishte në dispozicion të njëjtin model si pilotët e Ducati-t zyrtar, apo ata të skuadrës ‘Pramac’, atëherë do të kishte duele më të barabarta në pistë. Duke marrë në konsideratë që francezi Johann Zarco do të largohet nga ‘Pramac’ në vitin e ardhshëm, për t’u transferuar tek LCR Honda, mundësia që Bezzecchi të largohet nga ‘VR46’. Të paktën këtë prisnin të gjithë, mirëpo ka qenë këmbëngula e legjendës së këtij sporti dhe njëkohësisht njeriu që qëndron pas skuadrës, Valentino Rossi, ai që ka bindur Bezzecchi-n të qëndrojë të paktën edhe një vit. Edhe pse është i vetdijshëm që nuk do të ketë një Ducati të njëjtë si Bagnaia apo pilotët e tjerë të Ducatit-t zyrtar apo skuadrës ‘Pramac’, Bezzecchi preferon të qëndrojë tek ‘VR46’, ku do të vijojë të punojë për të luftuar për titullin kampion. Këtë vendim, piloti italian e ka përcjellë tek drejtuesit e skuadrës pas garës së Austrisë, ku Bezzecchi e mbylli në vendin e tretë.