MotoGP bën ‘hap pas’; nuk ka garë në Kazakistan

Sport

MotoGP supozohej të arrinte një rekord prej 21 garash në këtë sezon, por gjërat nuk kanë shkuar sipas planeve për drejtuesit e ‘Federartës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit’. Në media është bërë zyrtar vendimi që këtë vit, të mos garohet në Kazakistan, që duhej të bënte debutimin në botën e garave me cirkuitin e ‘Sokol’, pranë qytetit të Almaty. Gara në Kazakistan ishte planifikuar të zhvillohej të dielën e 9 korrikut, por pas bisedimeve mes organizatorëve kazakë dhe drejtuesve të ‘MotoGP’, është vendosur që debutimi i cirukuitit të ‘Sokol’ të ndodhë vitin e ardhshëm, gjithmonë nëse nuk do të ketë probleme të tjera. Organizatorët nuk mund të premtonin përfundimin e punimeve në cirkuit deri në fundjavën e ‘Çmimit të Madh’ e për këtë arsye, ‘MotoGP’ është tërhequr, duke mos i lënë asgjë në dorë fatit. Pista në Almaty është thuajse 4,5 km e gjatë dhe është dizenjuar nga i mirënjohuri Herman Tilke, por megjithatë, është vlerësuar vetëm si pistë e klasës së dytë nga ana e FIA-s. Kështu, ‘MotoGP’ nuk mund të bëjë realitet botërorin më të gjatë ndonjëherë në historinë e vet, që ishte planifikuar me 21 gara. Me shpresën se ky objektiv do të arrihet në sezonin e ardhshëm, drejtuesit e ‘Federatës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit’ do të ndjekin me kujdes ecurinë e punimeve në Kazakistan, për të mos hasur në të tjera surpriza të pakëndshme. ‘MotoGP’ ndërkohë ka lajmëruar se nuk do të ketë asnjë pistë tjetër që do të bëhet pjesë e kalendarit të këtij sezoni, si për të zëvendësuar cirkuitin e ‘Sokol’, por numri i garave do të ulet tashmë në 20. E vetmja pistë debutuese e këtij viti, mbetet ajo në Indi.