Enea Bastianini ka fituar garën e katërt në këtë sezon të ‘MotoGP’, duke dhuruar spektakël në xhirot e fundit në pistën e Aragon. Bastianini fitoi duelin me shokun e ardhshëm të skuadrës, Francesco Bagnaia, duke e parakaluar në kthesat e fundit e duke ndalur rekordin prej 4 fitoresh radhazi të pilotit të Ducati-t. Gara në Aragon nisi me emocione e të papritura që në metrat e parë, kur një kontakt me Marc Marquez nxorri jashtë loje kampionin e botës në fuqi, Fabio Quartararo. Në momentin e rrëzimit të francezit, rivalët e tij për titullin e kuptuan se kishin shansin e artë për të fituar pikë të rëndësishme e për të ngushtuar distancat në renditje. Bagnaia mori kryesimin e garës dhe e udhëhoqi deri në xhiron e fundit, përpara se Bastianini të fitonte duelin ndaj tij, teksa më parë kishte kaluar emra si Jack Miller apo Brad Binder. Ky i fundit do të humbiste edhe mundësinë për t’u ngjitur në podium, pasi do të parakalohej nga një tjetër pretendent për titullin kampion, Aleix Espargaro. Piloti spanjoll i skuadrës Aprilia u rikthye të shijojë podiumin për herë të parë që nga ‘Çmimi i Madh’ i Italisë, duke fituar po ashtu pikë të rëndësishme ndaj Quartararo-s në renditje. 10-shja e parë në Aragon ndërkohë u plotësua me Binder në vend të katërt, Miller në të pestin, e në radhë vijnë Jorge Martin, Luca Marini, Johann Zarco, Alex Rins dhe Marco Bezzecchi. Nuk e mbylli dot garën as Marc Marquez, i cili pas kontaktin me Quartararon në nisjen e garës, pati një kontakt edhe me Hondan e Takaaki Nakagami. Quartararo mbetet në krye të renditjes me 211 pikë, por tani ka vetëm 10 pikë larg Francesco Bagnaia-n, që po kalon një formë të jashtëzakonshme. Po ashtu Espargaro është ngjitur në kuotën e 194 pikë, ndërsa disi më i distancuar në vendin e katërt gjendet Enea Bastianini, me 163 pikë.