MotoGP, Bagnaia shpjegon pse nuk rrezikoi për vendin e parë në Britani

Sport

Francesco Bagnaia po shkonte drejt një fitoreje me shumë peshë në pistën e Silverstone, derisa në sektorin e tretë të xhiros së fundit, do të parakalohej nga Aleix Espargaro, me fitoren që shkoi në favor të pilotit të Aprilia-s. Kampioni i botës në fuqi u duk disi i tërhequr në duelin me spanjollin, që përgjatë gjithë garës u shfaq më agresiv se kundërshtarët e tij. Shiu ka qenë një problem i vazhdueshëm për një pjesë të mirë të pilotëve në fundjavën britanike dhe të shumtë janë ata që mendojn se Bagnaia nuk kaloi përtej limiteve, vetëm për të provuar se ai mund ta mbyllë si duhet një garë në pistë të lagur. Mirëpo vetë italiani i hedh poshtë këto aludime, duke u përgjigjur se në fakt nuk ka asgjë për të provuar në këtë aspekt. Bagnaia shtoi se ai dhe skuadra e tij e dinë shumë mirë kapacitetin e potencialin që kanë, por kjo nuk do të thotë se duhet të rrezikojnë më shumë se sa duhet në momente të caktuara. E vemtja gjë që i interesonte kampioni të botës në situatën e krijuar në garën e Silverstone, ishte të bënte gjërat si duhet në pistë dhe të mos lejonte asnjë surprizë të pakëndshme të prishte pritshmëritë e të gjithëve tek Ducati. 26-vjeçari e pranoi se nisja dhe garimi në një pistë të lagur për të nuk është asnjëherë e lehtë, por ia ka dalë mbanë të përmirësohet në këtë aspekt dhe thotë se ka dëshmuar që mund të garojë njësoj si ata që cilësohen ‘specialistë’ të kushteve të tilla atmosferike. Në lidhje me duelin ndaj Espargaro, Bagnaia deklaroi se në asnjë moment nuk mendoi se duhej të kënaqej me vendin e dytë. Nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë italiani tha se duhet të fillojë të mendojë po ashtu edhe tërheqjen nga ky sport. Thjesht në Silverstone, ku Espargaro kreu parakalimin ndaj tij, nuk kishte shumë kohë për të tentuar një përgjigje. Edhe pse kampioni i botës tha se e provoi të tentonte diçka në kthesën e parafundit, ishte shumë vonë për të konkretizuar një manovër, me Espargaro që sipas tij, e kishte stuiduar mirë momentin se ku dhe kur duhej ta kryente parakalimin.