Marc Marquez tregoi qartazi në garën e Argjentinës se ai do të bëjë gjithçka në këtë sezon për t’u rikthyer tek titulli kampion. Piloti spanjoll është përshtatur shpejt dhe në mënyrën e duhur me motorin Ducati, duke dhuruar performanca të shkëlqyera, si në fundjavën e Tajlandës, po ashtu edhe në Argjetninë. Në të dyja rastet, ai fitoi duelin ndaj vëllait të tij të vogël, Alex, i cili me Ducati-n e skuadrës Gresini, ka treguar një formë shumë të mirë. Ndërsa Francesco Bagnaia, i cili shihet edhe këtë vit si pretendent, është ende larg rezultateve të pritura. Piloti italian vuajti jo pak në cirkuitin e ‘Termas de Rio Hondo’, që është një nga dy pistat e vetme ku ai nuk ka arritur dot as edhe një podium në karrierën e tij në elitë. Këtë herë, Bagnaia i pati shanset për ta mbyllur të paktën në vendin e tretë, por do të humbiste duelin ndaj pilotit italo-brazilian të skuadrës ‘VR46’, Franco Morbidelli.
I pytetur në lidhje me performancat e tij në dy garat e para të këtij sezoni, Bagnaia ka pranuar se ende nuk është përshtatur si duhet me modelin e ri të motorit Ducati, por deklaroi se ndihet shumë më mirë se sa në sezonin e shkuar. Italiani thotë se ka ende gjërat që duhet t’i mësojë në lidhje me Ducati-n e ri që ka në dispozicion, por njëkohësisht është i vetdijshëm që nuk duhet të humbasë kohë ndaj rivalëve. Në këtë fillim të sezonit, në mungesë të kampionit të botës në fuqi, Jorge Martin, i cili vijon të jetë i dëmtuar, rivali kryesor për Bagnaia-n duket të jetë shoku i tij i skuadrës, Marc Marquez. Bagnaia vuri edhe njëherë në dukje cilësitë që ka piloti spanjoll dhe nëse dëshiron të mbajë të njëjtin ritëm, duhet të punojë në balancë të plotë me motorin e ri.
Gara e radhës do të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vitin e shkuar Bagania u rendit i pesti dhe hasi jo pak telashe për të mbajtur ritmin e kryesuesve.