MotoGP, Bagnaia ‘perfekt’ në Jerez; ‘KTM’ kënaqet me podiumin

Sport

Francesco Bagnaia mbetet njeriu për t’u mundur në ‘MotoGP’. Kampioni i botës ka dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme në cirkuitin e Jerez de la Frontera, të vlefshëm për ‘Çmimin e Madh’ të Spanjës. Gara nisi njësoj si ‘Sprint’-i i së shtunës, me një aksident në kthesën numër 2 mes Quartararo-s dhe Oliveira-s, që detyroi komisarët të nxirrnin flamurin e kuq e të ndalnin gjithçka. Në rinisjen e garës, fituesi i ‘pole-position’, Aleix Espargaro humbi sërish duelin me dy pilotët e ‘KTM’-ës, Binder e Miller. Spanjolli i Aprilia-s do të haste vështirësi edhe me Francesco Bagnaia, që do të niste edhe rrugëtimin e tij drejt fitores. Italiani ia doli të fitonte duelin me Jorge Martin të skuadrës ‘Pramac’, përpara se të niste luftën për triumfin ndaj dy pilotëve të ‘KTM’-ës, që deri në ato momente, kishin bërë gjithçka si duhej. Bagnaia ia doli fillimisht të linte pas vetes Jack Miller, për të shkuar në xhirot e fundit pranë Brad Binder, që po përjetonte fundjavën më të mirë të mundshme. Bagnaia ia doli të përfitonte nga një gabim në frenim të afrikanojugorit, që gjithësesi nuk hoqi dorë nga vendi i parë. Binder do të ngushtonte në 1 të dhjetat distancën me Bagnaia-n në xhiron e fundit, ku në fakt, kampioni i botës ishte perfekt në çdo kthesë të interpretuar. 26-vjeçari i Ducati-t nuk i dha asnjë mundësi Brad Binder të tentonte parakalimin, duke e kaluar i pari vijën e finishit. Veç Binder, skuadra ‘KTM’ i gëzohet edhe vendit të tretë të Miller, teksa në radhë u renditën Jorge Martin, Aleix Espargaro, Luca Marini, Dani Pedrosa, Alex Marquez, Takaaki Nakagami dhe vetëm në vendin e dhjetë, Yamaha e Fabio Quartararo-s. Bagnaia ka marrë në këtë mënyrë vendin e parë të renditjes për pilotë me 87 pikë, ndërkohë që ndjekësit më të afërt janë Marco Bezzecchi dhe Brad Binder, me respektivisht 65 e 62 pikë.