MotoGP, Bagnaia me rekord fitoresh, por ja çfarë i kushtoi titullin

Sport

Francesco Bagnaia ia doli të interpretonte në mënyrë perfekte fundjavën e tij në Barcelonë, duke bërë si duhet pjesën e tij sa i përket luftës për titullin kampion. Mirëpo fati nuk ishte në favor të italianit, që në fund u dorëzua para rivalit të tij spanjoll, Jorge Martin. Me triumfin e arritur të dielën, Bagnaia u bë pjesë e një grupi ekskluziv në historinë e ‘MotoGP’. Vetëm 5 pilotë ia kanë dalë mbanë të fitojnë 11 gara brenda një sezoni, por pavarësisht kësaj, për Bagnaia-n nuk ishte e mjaftueshme për të mbrojtur numrin 1 tek Ducati i tij.

Piloti italian ka arritur në këtë mënyrë të fitojë më shumë se 50% të ‘Çmimeve të Mëdha’ në këtë sezon, teksa ia doli të përmirësonte edhe pikën e tij të dobët kundrejt Martin gjatë 2023-shit, që ishin garat ‘sprint’. Këtë vit, Bagnaia ia doli të fitonte të njëjtin numër të garave ‘sprint’ si Martin, shtatë, teksa edhe në provat zyrtare, ka qenë në të njëjtin ritëm, e shpeshherë me një marsh më shumë se sa rivali i tij. Por si mundet që Bagnaia të humbasë titullin kampion kur të gjitha këto shifra flasin në favor të italianit?!

Për të zbuluar këtë, duhet të kthehemi sërish tek garat ‘sprint’ të së shtunës. Bagnaia ka patur 8 rrëzime në këtë sezon, duke mos e mbyllur dot garën, 5 prej të cilave vijnë pikërisht në garat ‘sprint’. Nga ana tjetër, Jorge Martin është shfaqur më i kujdesshëm dhe me vazhdimësi sa i përket rezultateve të tij, duke mos e kaluar vijën e finisht vetëm në 3 raste.

Rrëzimi në garën për ‘Çmimin e Madh’ të Emilia-Romanga duket se ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e këtij sezoni në ‘MotoGP’, pasi ai rrëzim në tokën e atdheut të Bagnaia-s, mund t’i këtë kushtuar pilotit të Ducati-t më shumë se 15 pikë. Ndërsa ajo që mund të ketë larguar fatin e titullit nga duart e tij, është padyshim rrëzimi në garën ‘sprint’ të Malajzisë. Për të njëjtat arsye, ishte Martin që humbiste terren në luftën për titullin kampion në vitin 2023, e nëse spanjolli mesa duket ka marrë mësimet e tij, Bagnaia-s nuk i mbetet gjë tjetër, por të pranojë edhe njëherë rezultatin e këtij sezoni, e të përgatitet për një vit tjetër, që pritet të jetë akoma më intensiv.