Francesco Bagnaia mbetet njeriu për t’u mundur gjatë këtij sezoni të ri të MotoGP. Edhe pse në Argjentinë, gjërat nuk shkuan ashtu siç kampioni i botës i kishte menduar, italiani për momentin ka një ritëm më të mirë se sa rivalët e tij. Në cirkuitin e Termas de Rio Hondo, piloti i Ducati-t po shkonte qetësisht tek podiumi, pas një dueli të ashpër me Alex Marquez, duke marrë vendin e dytë. Mirëpo në xhiron e 17, edhe pse i pashqetësuar nga ndonjë pilot tjetër, Bagnaia humbi kontrollin e Ducati-t të tij, duke u rrëzuar dhe duke u rikthyer në pistë vetëm në vendin e 16. Kampioni i botës ende nuk e ka larguar zhgënjimin nga rezultati në Argjentinë, teksa ende nuk ka kuptuar se çfarë nuk shkoi me të dhe motorin e tij në xhiron e 17. Kthesa numër 13 ishte një nga më problematiket për të gjithë pilotët, jo vetëm nën reshjet e shiut, por edhe në pistë të thatë. Pikërisht në atë kthesë, Bagnaia humbi kontrollin e motorit të tij, ndonëse kampioni i botës shpjegoi se në 16 xhirot e mërparshme, e kishte interpretuar ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë dhe nuk kishte patur asnjë problem. Për këtë arsye, piloti italian është i irrituar me atë çfarë ndodhi në Argjentinë, pasi as ai dhe as drejtuesit e skuadrës së tij nuk mund të japin një shpjegim të qartë se pse Bagnaia u rrëzua. Bagnaia e mbylli intervistën duke u shprehur se ai duhet të punojë më shumë sa i përket garave në kushte atmosferike si ato të Rio Hondo, ndërkohë që përgëzoi Marco Bezzecchi për suksesin e merituar në ‘Çmimin e Madh’ të Argjentinës.