MotoGP, Bagnaia flet për aksidentin në Barcelonë dhe shanset për titullin kampion

Sport

Pritshmëritë e larta të Francesco Bagnaia-s për garën e Katalunjës do të hidheshin në asfalt vetëm pak metra pas nisjes, kur në kthesën e parë do të bëhej pjesë e një aksidenti të shkaktuar nga Takaaki Nakagami. Piloti italian humbi pikë të rëndësishme në këtë garë, ku motorët Ducati ishin paraqitur mjaft mirë, çfarë ka bërë që distanca mes kryesuesin e botërorit, Fabio Quartararo, të shkojë në 66 pikë. Bagnaia nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për atë se çfarë ndodhi në pistën e Barcelonës, duke u ndalur edhe tek çështja ‘Nakagami’. Piloti japonez u cilësua si ‘mjaft i rrezikshëm’ nga ana e Alex Rins në garën paraardhëse, pasi spanjolli u nxorr jashtë gare pikërisht nga një lëvizje e gabuar e Nakagami-t. Një javë pas asaj që ndodhi në Mugello të Italisë, Nakagami nxjerr sërish jashtë gare Rins të Suzuki-t, por këtë herë merr me vete edhe Bagnaia-n.

Ky i fundit mendon se pas situatave që kanë ndodhur në Mugello dhe Katalunjë, Nakagami ka humbur disi vlerësimet e kolegëve të tij. Sipas tij, aksidenti i ndodhur në Barcelonë ishte diçka që erdhi vetëm për një gabim të Nakagamit, që kërkoi të fitonte më shumë se 6 apo 7 pozicione me një frenim të vonë, që në kthesën e parë. Bagnaia mendon se një pilot me eksperiencën e Nakagamit nuk mund të bëjë të tilla gabime dhe kjo vetëm sa po penalizon sezonin e pilotëve të tjerë. Një prej tyre është vetë Bagnaia, i cili tashmë ka një detyrë të vështirë për të rikuperuar 66 pikë ndaj Fabio Quartararo-s, në mënyrë që të jetë pjesë e luftës për titullin kampion. Italiani gjithësesi mbetet optimist për ta realizuar diçka të tillë, duke ia vendosur vetes si objektiv për 5 garat e ardhshme të botërorit. Aktualisht, piloti i Ducati-t mban vendin e pestë në renditjen e përgjithshme, me 81 pikë, duke u renditur pas emrave si Quartararo, Aleix Espargaro, Enea Bastianini dhe Johan Zarco.