MotoGP, Bagnaia dominon në Assen dhe bën tjetër hap drejt titullit

Sport

Francesco Bagnaia vazhdon misionin për të mbrojtur titullin kampion në ‘MotoGP’, teksa ka dhuruar një tjetër performancë të jashtëzakonshme me Ducati-n e tij. Piloti italian triumfoi në cirkuitin e Assen në Hollandë, duke fituar edhe duelin e drejtpërdrejtë me një nga ata që shihet si rival i tij në këtë sezon, Marco Bezzecchi. Ky i fundit u desh të kënaqej me vendin e dytë, ndërkohë që podiumi u kompletua nga Aleix Espargaro. Në fakt, vijën e finishit, i treti e kaloi afrikanojugori i skuadrës ‘KTM’, Brad Binder, mirëpo një gabim i 27-vjeçarit në dalje nga kthesat e fundit bëri që ai të penalizohej me një pozicion. Binder kaloi limitet e pistës dhe kështu i dhuroi shkallën më të ulët të podiumit spanjollit të ‘Aprilia’-s, Espargaro. Vetëm vendi i pestë për Jorge Martin, i cili pas paraqitjes mbresëlënëse të bërë në Gjermani, nuk ia doli dot të ruante ritmin e rivalëve. Pas tij u renditën Alex Marquez, Luca Marini, Takaaki Nakagami, Franco Morbidelli dhe Augusto Fernandez, që u rendit i dhjeti. Vetëm 14 pilotë ia dolën ta përfundonin garën, me emra si Fabio Quartararo, Maverick Vinales, Enea Bastianini, Johan Zarco apo Jack Miller që largohen nga Assen pa as edhe një pikë të vetme. Tjetër mungesë për Marc Marquez, i cili njësoj si në Gjermani, nuk ishte në gjendjen e duhur fizike për të garuar edhe në Assen. Sa i përket Bagnaia-s, kampioni i botës në fuqi tashmë shkon drejt pushimeve sërish si njeriu për t’u mundur. Italiani për momentin kryeson i qetë renditjen e përgjithshme për pilotë me 194 pikë. Ndjekësi i tij më i afërt vijon të mbetet Jorge Martin, me 159 pikë, vetëm 1 pikë më shumë se sa piloti i skuadrës ‘VR46’, Marco Bezzecchi. Më të distancuar janë Binder e Zarco, ndërkohë që Quartararo tashmë duket jashtë luftës për titullin.  Në Assen, ‘Pecco’ siguroi fitoren e katërt në këtë sezon, çfarë edhe podiumi i pestë për të, diçka që asnjë nga pilotët e tjerë në ‘MotoGP’ nuk e ka arritur deri më tani përgjatë 2023-shit.