MotoGP, Bagnaia bën ‘tripletë’; fiton në Austri, por Quartararo mbetet lider

Sport

Francesco Bagnaia ka siguruar fitoren e tretë radhazi dhe të pestën në këtë sezon të ‘MotoGP’, teksa ka dominuar përgjatë gjithë garës mbi pistën e Spielberg në Austri. Piloti italian bëri një nisje të shkëlqyer, duke kaluar që në xhiron e parë Enea Bastianini-n, i cili nisej nga ‘pole-position’. Që nga ai çast, ylli kryesor i Ducati-t nuk e vuri më në diskutim fitoren, duke qenë thuajse perfekt në interpretimin e garës së tij. Por garë të shkëlqyer ka bërë edhe kampioni i botës në fuqi, Fabio Quartararo, që edhe pse nuk shihej si favorit për podiumin ndaj motorëve Ducati, ia doli të nxirrte më të mirën nga Yamaha e tij.

Francezi e mbylli garën në vendin e dytë, pasi fitoi të gjitha duelet në pistë me Jack Miller, Jorge Martin apo Johann Zarco, me këtë të fundit që zhgënjeu me paraqitjen e bërë. Miller ndërkohë plotësoi podiumin, duke përfituar edhe nga rrëzimi i pilotit të skuadrës ‘Pramac’, Martin. Zhgënjeu Aprilia, që si rezultatin më të mirë mori vendin e 6 të Aleix Espargaro. Ndoënse ajo në Austri pritej të ishte mjaft e ndërlikuar për karakteristikat e Aprilia-s, nga pretendenti për titullin kampion pritej diçka më shumë. Espargaro nuk ia doli në asnjë moment të rivalizonte ndaj Quartararo-s apo motorëve Ducati, duke shfaqur probleme të mëdha, sidomos në dy sektorët e parë të pistës.

Ndërsa piloti tjetër i markës italiane, Maverick Vinales e mbylli në vendi ne 13, pavarësisht se po paraqitej në nivel të lartë deri në fundin e gjysmës së parë të garës. Me vendin e dytë të arritur në cirkuitin e Spielberg, Quartararo ka thelluar distancën me ndjekësin e tij më të afërt në renditjen e përgjithshme për pilotë. Kampioni i botës numëron tashmë 200 pikë, 32 më shumë se sa Aleix Espargaro, ndërkohë që Bagnaia është ngjitur në kuotën e 156 pikëve, duke u konsideruar plotësisht si një pretendent për titullin, kur kanë mbetur edhe 7 gara nga fundi i sezonit.