MotoGP, Bagnaia bën ‘bis’ në Silverstone; gara për titull ndizet edhe më shumë

Sport

Francesco Bagnaia është i vendosur të luftojë deri në fund për titullin kampion në ‘MotoGP’. Piloti italian ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme me Ducati-n e tij në garën e Silverstone, duke lënë pas vetes e duke fituar pikë të rëndësishme ndaj rivalëve kryesorë, Fabio Quaratararo dhe Aleix Espargaro. Bagnaia nuk e niste si favorit mbi pistën britanike, por ia doli të nxirrte më të mirën nga motori i tij, fillimisht duke fituar duelin me shokun e skuadrës, Jack Miller, e më pas duke përfituar nga rrëzimi i Johann Zarco, i cili ishte kryesues deri në ato momente. Në fakt marka Ducati dominoi mbi pistën e Silverstone, pasi në 5 vendet e para, gjejmë 4 të tillë. Vinales nderoi Aprilia-n me vendin e dytë, ndonëse pati mundësinë të duelonte me Bagnaia-n edhe për triumfin, por spanjolli gaboi në momentet më vendimtare. Gjithësesi, vendi i dytë për të është mjaft domethënës, teksa podiumi u plotësua nga Jack Miller. Garë e mirë për Enea Bastianini-n, që e mbylli në vendin e katërt, në atë që rezultoi të ishte një rikuperim shumë i rëndësishëm për pilotin italian. Jorge Martin e mbylli në vendin e pestë me “Pramac”, ndërkohë që Miguel Oliveira, Alex Rins, Fabio Quartararo, Aleix Espargaro dhe Marco Bezzechi mbyllën 10-shen e parë. Dy kryesuesit e botërorit, Quartararo dhe Espargaro zhgnëjyen me paraqitjet e tyre.

I pari vuajti dënimin e komisarëve me një xhiro të gjatë për tejkalim të limiteve të pistës, kurse Espargaro vuajti disi konsumin e gomave. Quartararo vijon të mbajë kryesimin e renditjes së përgjithshme për pilotë me 180 pikë, ndërsa Aleix Espargaro ndjek me 158. Bagnaia është ngjitur në kuotën e 131 pikëve, duke hedhur kandidaturën për titullin, ashtu siç shpreson në një mrekulli edhe piloti i skuadrës ‘Gresini’, Enea Bastianini, që përmomentin është në kuotën e 118 pikëve. Kur kanë mbetur edhe 8 gara nga fundi i sezonit, Bagnaia vjen si favorit pas dy fitoreve radhazi, ndërkohë që pritet një përgjigje nga dyshja Quartararo-Espargaro.