MOTOGP, Alex Rins mendon se Suzuki është tashmë një motorr fitues!

Sport

alex

Alex Rins me Suzuki arriti një rezultat mjaft të mirë në garën e Argjentinës, duke u renditur i treti pas Cal Crutchlow dhe Yohann Zarco. Një podium ky që vlen shumë për markën japoneze, që prej kohësh po përpiqet të ndërtojë një model që të rivalizojë me kundërshtarë si Honda, Yamaha apo Ducati.
Por pas asaj paraqitjeje në Argjentinë, Alex Rins beson se ajo nuk ishte një performancë e rastësishme apo me shumë fat, por motorri Suzuki tregoi potencial në një pistë mjaft të vështirë.

alex2
Piloti spanjoll madje shprehet i bindur se Suzuki tashmë zotëron një motorr fitues, që u jep mundësinë të konkurojnë për podiumin. 22-vjeçari shton se nëse skuadra vazhdon të punojë kështu, ai vend i tretë i marrë në Argjentinë, hap pas hapi mund të kthehet në një fitore në garat e ardhshme.
Në fakt përmirësimi tek Suzuki është i dukshëm. Ky podium i Rins është i pari për këtë skuadër që prej vitit 2016, ç’ka do të thotë shumë për drejtuesin kryesor të saj, Davide Brivio. Alex Rins nga ana e tij ka folur edhe për çështjen e rinovimit, ku thekson se për momentin nuk sheh asnjë opsion tjetër veç qëndrimit tek Suzuki, por që gjithesesi, rishikimi i kontratës do të bëhet në një moment të tjetër.