MotoGP, Aleix Espargaro po e vuan presionin e titullit; ja se çfarë do të thotë të jesh pretendent

Sport

Ky vit në ‘MotoGP’ është padyshim më i miri në karrierën e Aleix Espargaro, që me Aprilia-n e tij i ka surprizuar të gjithë me arritjet e këtij sezoni. Piloti spanjoll mban vendin e dytë në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 21 pikë distancë nga kryesuesi e njëkohësisht kampioni i botës në fuqi, Fabio Quartararo. Aleix Espargaro ka shfaqur vazhdimësi me paraqitjet e tij dhe tashmë shihet si pretendenti kryesor për të rivalizuar deri në fund me Quartararo-n për titullin kampion. Por kjo ka shtuar çdo ditë e më shumë presionin mbi 32-vjeçarin, që nuk fsheh faktin se në disa momente e ka vuajtur këtë gjë. ‘MotoGP’ do të rikthehet në aksion në fillimin e muajit gusht dhe deri atëherë, pilotët dhe skuadrat kanë mundësi të pushojnë. Për Espargaro, ky pushim është më i nevojshëm se kurrë më parë në jetën e tij.

“Sinqerisht, jam shumë i lodhur. Ndihem i konsumuar. Askush nuk mund ta kuptojë se si ndihesh kur je në situata të tilla derisa e provon vetë. Në aspektin mendor, kjo është një provë shumë e madhe, sepse je i përqëndruar në çdo sekondë për të mos bërë asnjë gabim. Mjafton diçka e vogël e shkuar keq dhe çdo gjë mund të shkatërrohet.”

Piloti i Aprilia-s thotë se në mendjen e tij ende është plani i garës së ardhshme dhe ndoshta pushimi i mesit të sezonit nuk do të jetë i mjaftueshëm për të, por gjithësesi, është i lumtur që gjendet në një pozitë të tillë. Ai tha se çdo pilot kërkon të luftojë për të qenë më i miri në karrierën e tij dhe Aleix është gati të bëjë gjithçka për ta arritur këtë. Por tani, ka filluar të menaxhojë më mirë presionin dhe vëmendjen që ke kur je një pretendent për titull, sidomos kur distancat me pikë janë kaq të vogla. Gara e radhës në ‘MotoGP’ do të zhvillohet në datën 7 gusht, në pistën e famshme të Britanisë së Madhe, në Silverstone.