MotoGP, Aleix Espargaro mposht Bagnaia-n në metrat e fundit në Silverstone

Sport

Aleix Espargaro është fituesi i ‘Çmimit të Madh’ të Britanisë së Madhe, teksa ia doli të mposhtte në një duel mjaft emocionues kampionin e botës, Francesco Bagnaia. Ky i fundit bëri një nisje të mirë të garës dhe xhiro pas xhiro, ia doli të merrte kryesimin, ndërkohë që zhgënjyen dyshja që mendohej se do të ishte protagoniste absolute e kësaj gare. Alex Marquez, që një ditë më parë kishte fituar garën ‘Sprint’, hasi telashe me motorrin e tij me numër 73, ndërkohë që pak më vonë, njeriu që u nis nga ‘pole-position’, Marco Bezzecchi, humbi kontrollin e Ducati-t të tij, duke e lënë të pashqetësuar Bagnaia-n. Mirëpo nga prapavija ishte Aleix Espargaro që ia doli të rriste ritmin, derisa në xhirot e fundit, pati një distancë të ngushtë me liderin e garës. Në hyrjen e sektorit të katërt, piloti spanjoll i Aprilia-s bëri lëvizjen e tij dhe ia doli të lër pas kampionin e botës, duke fituar garën e parë për këtë sezon. Bagnaia u kënaq me vendin e dytë, ndërsa podiumi u plotësuan nga Brad Binder, që po ashtu bëri një garë shumë të mirë, teksa në fund ia doli të fitonte duelet me Miguel Oliveira-n, që ishte nisur nga vendi i 16, apo edhe me pilotin tjetër të Aprilia-s, Maverick Vinales, i cili humbi diçka nga ritmi i tij në xhirot e fundit. Vetëm vendi i gjashtë për numrin 2 të renditjes së përgjithshme për pilotë, Jorge Martin, që la pas vetes emra si Luca Marini, Jack Miller, Johann Zarco dhe Raul Fernandez. Tjetër fundjavë për t’u harruar për Marc Marquez dhe Fabio Quartararo. I pari u bë sërish protagonist me një rrëzim, pasi humbi kontrollin e Honda-s së tij, kurse piloti francez i Yamaha-s, nuk mundi të shkonte më larg se sa vendi i 15.

Pas kësaj fundjave në Silverstone, Francesco Bagnaia zgjeron distancat me ndjekësit në renditje, pasi kampioni i botës numëron tashmë 214 pikë, plot 41 më shumë se Jorge Martin. Bezzecchi mbetet në vendin e tretë, në kuotën e 167 pikëve, ndërkohë që më të distancuar janë emra si Brad Binder apo Johann Zarco.