MotoGP, Aleix Espargaro është në luftën për titull, por Aprilia ende nuk i rinovon kontratën

Sport

Viti 2022 do të mbahet mend gjatë për skuadrën Aprilia në ‘MotoGP’, pasi ia dolën që pas shumë vitesh, të siguronin fitoren e parë të tyre në kategorinë elitare të garave me motora. Aleix Espargaro është njeriu që po shkruan historinë për markën italiane. Piloti spanjoll udhëhoqi motorin e tij drejt vendit të parë në garën e Argjentinës, teksa ka siguruar podiumin edhe në 3 garat e fundit, në Portugali, Spanjë dhe Francë.

32-vjeçari është për momentin pjesë e luftës për titullin kampion, por të gjitha këto duket se nuk mjaftojnë që Aprilia të nxitojë me rinovimin e kontratës për pilotin. Vetë Aleix Espargaro është shprehur se ndihet i surprizuar me faktin që gjërat për çështjen e rinovimit të kontratës nuk kanë ecur përpara. Spanjolli supozohet të ndërpresë marrëveshjen me Aprilian në fundin e këtij sezoni dhe siç vetë piloti zbuloi, për momentin nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë çështje.

“Nuk e di se çfarë po ndodh. Vërtet që nuk di se çfarë t’ju them në lidhje me këtë gjë. Unë po përpiqem të bëjë më të mirën e mundshme. Nuk besoj se ka mbetur gjë tjetër që mund të bëj. Sigurisht, mund të fitojë të gjitha garat, por kjo është shumë e vështirë për këdo. Gjithësesi, çështja e kontratës nuk po ndikon tek unë, edhe pse e pranoj që do të më jepte qetësi nëse do ta dija të ardhmen time.”

Këto fjalë të Espargaro janë një sinjal i qartë i pilotit për drejtuesit e Aprilias, që duhet të tregojnë nëse besimi ndaj spanjollit vijon të jetë i njëjti. Aleix është duke zhvilluar në fakt sezonin më të mirë të karrierës së tij, të paktën deri më tani. Pas 7 garave të para, ai numëron plot 98 pikë të grumbulluara dhe renditet i dyti në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë, me vetëm 4 pikë më pak se sa Quartararo. Gjatë 2022-shit është vënë re një rritje e ndjeshme e performancës së motorit Aprilia, por Aleix Espargaro duhet të marrë vlerësimet e tij, pasi ka treguar vazhdimësi me rezultatet e marra, ndërkohë që piloti tjetër i skuadrës, Maverick Vinales, vazhdon të vuajë përshtatjen me motorin.