MotoGP, Aleix Espargaro është i pakënaqur me Aprilia-n; shkak duelet e humbura me ‘KTM’

Sport

Aleix Espargaro u duk se do të kishte një fundjavë të mirë në cirkuitin e Jerez, kur vendosi kohën më të shpejtë në provat zyrtare, çfarë i dha mundësinë të nisej nga ‘pole-position’, si në garën ‘Sprint’, edhe në atë të së dielës. Mirëpo asgjë nuk shkoi sipas planeve për spanjollin e Aprilia-s, që në 4 nisje, asnjëherë nuk ia doli të fitonte duelet ndaj pilotëve të ‘KTM’-ës, Brad Binder e Jack Miller. Në intervistën e tij të fundit, Aleix u ndal pikërisht tek paraqitja e bërë në ‘Çmimin e Madh’ të Spanjës, ku 33-vjeçari ende nuk di t’i japë një shpjegim diferencave të shfaqura në pistë me motorët e ‘KTM’-ës.

“Është vërtetë e çuditshme. Isha piloti më i shpejtë përgjatë provave të lira dhe ato zyrtare, por kur vjen puna tek gara, mendoj se motori kishte humbur diçka në aerodinamikë, në pjesën përpara. E kisha të pamundur të interpretoja si doja kthesat dhe goma e parë ishte një katastrofë.”

Por pavarësisht këtyre problemeve, Espargaro mendon se nuk duhet të kishte diferenca aq të mëdha me pilotët e ‘KTM’-ës, që edhe pse treguan vazhdimësi me atë që dhanë në Jerez, nuk kanë një motor më të mirë se sa Aprilia. Sipas tij, përgjatë dy javëve të ardhshme, ai dhe skuadra duhet të punojnë fillimisht për të kuptuar se çfarë nuk shkoi në garat e zhvilluara në Spanjë e më pas të mendojnë për të korigjuar diçka. Kur janë mbyllur 4 garat e para të këtij sezoni, Aleix Espargaro numëron vetëm 29 pikë të grumbulluara, çfarë për momentin e mbajnë në vendin e 13 të renditjes së përgjithshme për pilotë.