Edhe në këtë sezon të ‘MotoGP’, beteja për titullin kampion mbetet mes dy emrave. Kampioni i botës në fuqi, Francesco Bagnaia do të bëjë gjithçka për të mbrojtur ‘kurorën’ e tij ndaj rivalit më të madh të dy viteve të fundit, Jorge Martin. Ky i fundit është në vitin e fundit të kontratës së tij me skuadrën ‘Pramac’ dhe pasi u hodh poshtë mundësia e kalimit tek skuadra zyrtare e Ducati-t, Martin po lidhet gjithnjë e më shumë me kalimin tek marka tjetër italiane, Aprilia. Në konferencën e fundit, ylli i ri i ‘MotoGP’, Pedro Acosta është pyetur pikërisht në lidhje me këtë temë, që mbetet më e diskutuara në brendësi të bokseve të elitës së garave me motora. Acosta u shpreh hapur se edhe pse skuadra ‘Pramac’ mbetet e lidhur me markën ‘Ducati’, drejtuesit e markës italiane do të donin që në fund të këtij sezoni, Bagnaia të dilte sërish triumfues ndaj Jorge Martin. Sipas Acosta-s, fakti që Martin mund të fitojë titullin dhe të kalojë tek një markë rivale si Aprilia, që do të përfaqësoheshin me kampionin e botës, nuk do të ishte diçka e mire për Ducati-n. Për më tepër, tensionet në distancë mes Martin dhe drejtuesve të Ducati-t thjesht sa e kanë përkeqësuar situatën, duke u finalizuar me vendimin e pilotit spanjoll për të mos e rinovuar kontratën e tij. Aktualisht, Jorge Martin udhëheq renditjen e përgjithshme për pilotë me 392 pikë të grumbulluara, vetëm 10 më shumë se sa Bagnaia. Ndalesa e radhës e ‘MotoGP’ është në këtë fundjavë, në Australi, teksa garat finale të këtij sezoni do të zhvillohen në Tajlandë, Malajzi dhe Valencia.