Garave me motora nga 2019-a do t’i shtohet një tjetër kategori, krejtësisht e veçantë nga të tjerat. MotoE është një kopje e kampionatit të ‘Formula E’ tek garat me makina, dhe do të ndërtohen nga motorë krejtësisht elektrik. Dynavolt Intact është skuadra e parë që ka konfirmuar pilotin e saj për sezonin e ardhshëm. Ai është Jesko Raffin. Zviceriani 22-vjeçar ka qenë pjesë e kampionatit evropian të Moto2, ku është pjesë e skuadrës Kalex. Në 2014, ai është shpallur edhe kampion, ndonëse ishte vetëm 18 vjeç. Piloti është shfaqur mjaft i emocionuar për këtë aventurë të re dhe thotë se është intriguar nga ideja e garimit në një kampionat të tillë të veçantë, që do të jetë një eksperiencë krejt ndryshe për të.
Projekti i MotoE ka qenë mjaft i diskutuar për shkak se fillimsisht nuk gjente mbështetjen e duhur në bordin drejtues dhe nga ‘Dorna Sports’. Megjithatë, suksesi i ‘Formula E’ tek makinat duke se i ka bindur drejtuesit e federatës ndërkombëtare të motoçiklizmit. Pjesë e këtij kampionati do të jenë edhe skuadra të MotoGP si ‘Tech 3’, ‘LCR’, ‘Pramac’, “Angel Nieto’ apo ‘Marc VDS’. Sezoni i parë i MotoE do të startojë në muajin maj, në një datë që mbetet ende për t’u vendosur, në pistën e Jerezit në Spanjë. Kalendari deri më tani përmban 5 cirkuite evropiane si ai i Lë Mans në Francë, Sachsenring në Gjermani, ‘Red Bull Ring’ në Austri dhe Misano në San Marino.