Gara hapëse e sezonit të ri të MotoGP në Katar dhuroi jo pak spektakël, me fundin e saj që pa një duel kokë më kokë mes Marquez dhe Dovizioso. Pikërisht ky i fundit, duke fituar garën, u provoi të gjithëve se paraqitja përgjatë vitit të kaluar nuk ishte një rastësi, por rezultat i punës së Ducatit dhe dëshirës së pilotit italian për t’u shpallur kampion. Megjithatë, Marc Marquez mbetet njeriu per t’u mundur. Nëse spanjolli realizoi një performancë aq të mirë në Katar, në një pistë ku piloti i Honda nuk ka shkelqyer më parë, atëherë kundërshtarët e tij duhet të marrin masat për garat e ardhshme në Argjentine dhe Austin, ku Marquez shfaq gjithmonë më të mirën e tij.
Valentino Rossi mbetet pretendent në MotoGP, dhe gjatë garës në pistën e Losail, u provoi të gjithëve se pavarësisht moshës, ai vazhdon të garojë në limite.
Vinales vazhdon të vuajë startin e garës. Spanjolli i Yamahas nuk ka ritmin e të tjerëve në xhirot e para, por me afrimin e fundit të garës, arrin të japë më të mirën e tij.
Çështja e Yohann Zarco vazhdon të mbajë të ndezur diskutimin nëse ai e meriton modelin “M1” nga Yamaha apo jo, por me atë çfarë francezi tregoi në Katar, shuan të gjithë dyshimet se me një motorr më të mirë, ai do të jetë pjesë e luftës për titull.
Zërat e fundit ndërkohë flasin se Honda po e sheh si partnerin e duhur të Marquez për vitet e ardhshme. Ndërsa zhgënjimi më i madh në garën hapëse të sezonit të ri mbetet paraqitja e skuderive KTM dhe Aprilia. Pavarësisht rezultateve nëpër teste, që rritën jo pak optimizmin, të dyja skuadrat vazhdojnë të vuajnë të njëjtat probleme si vitin e kaluar.