Moto GP rikthehet në Silverstone për një tjetër impuls…

Sport

Megjithëse ende mbetet i ngulitur në mendje dueli mes Andrea Dovizioso dhe Marc Marquez në garën e Austrisë, Moto GP rikthen spektaklin, duke u zbarkuar tashmë në pistën e Silverstonë për garën e Britanisë së Madhe. Një nga cirkuitet më të bukura që është rikonstruktuar plotësisht sa i takon asfaltit. Ky do të jetë takimi i 12-të i sezonit, vetëm 8 etapa larg finishit.


Marc Marquez është ai që vjen si udhëheqës, me një avantazh prej 58 pikësh ndaj sfidantit të tij, Andrea Dovizioso. Ndërkohë që ka qëllimin e qartë për të mbyllur llogaritë për titullin e 6-të, brenda një kohe të shkurtër. Gjithsesi, piloti roman i Ducatit mbetet i vetmi që duket se do të kërkojë t’i fusë shkopinj ndër rrota. Megjithëse piloti që ka fituar më shumë në pistën britanike është Jorge Lorenzo që ka festuar 3 herë dhe që kthehet pikërisht në Silverstone pas 2 muajve nga dëmtimi i pësuar në Assen.
Megjithatë deri tani, spanjolli i Hondas mund të thuhet se po zhvillon ndoshta vitin e tij më të mirë. Sigurisht që në 2014-n i fitoi të 10-të garat e kalendarit. Por në këtë rast, rivaliteti i është shtuar e si rrjedhojë është rritur edhe niveli. Pa cmendurinë e bërë nga Andrea Dovizioso në Red Bull Ring, titulli do të ishte hipotekuar nga ana e Marquez. aq sa 8 garat e fundit do të ishin shndërruar thjesht në një “gjueti” rekordesh për katalanasin.


Rrugëtimi i tij është nga ata të frikshimit. Në 16 garat e fundit të cilave u ka shkuar deri në finish, nuk ka zbritur kurrë nga vendi i dytë në renditje. Nëse do të mbajë një ritëm të tillë, kundërshtarëve me në krye Dovizioso, nuk u mbetet vecse të synojnë sukseset e mëdha në etapat e mbetura. Silvertstone mund të jetë një shans për t’u shfrytëzuar. Jo aq shumë sepse Honda nuk shkon mirë në këtë lloj cirkuiti, por sepse në 4 edicionet ka pasur 4 fitues të ndryshëm. Dhe Ducati, Yamaha, apo Suzuki kanë pilotë të aftë për t’i dhënë një impuls tjetër këtij Botërori të Moto GP.