Gara e ardhshme e MotoGP do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Austin, dhe aty puna ka filluar për të përmirësuar gjendjen e pistës në disa sektorë problematikë. Vitin e kaluar kjo pistë ishte mjaft e kritikuar nga ana e pilotëve për arsye se në disa pjesë të saj, asfalti nuk ishte i njëtrajtshëm, ç’ka u krijonte goxha vështirësi pilotëve, sidomos gjatë garës. Për më tepër, këto disnivelime të pistës bëjnë që aty të mbeten edhe papastërti, që mund të rrezikojnë jo pak rrëzimin e motorrave.
Për këtë arsye, në Austin kanë filluar prej kohësh rregullimin e asfaltit, ndërsa thuhet se gara e këtij viti do të vëzhgohet me kujdes pikërisht për shkak të kësaj problematike. Kjo mund të ndikojë edhe në vendimin për garimin ose jo në këtë pistë në sezonet e ardhshme. Valentino Rossi, vitin e kaluar, shprehej se në veçanti 3 pjesë të cirkuitit amerikan kishin patjetër nevojë për ndërhyrje, por rregullimi i pistës sipas italianit duhej bërë në mënyrën e duhur. Edhe piloti i Hondas, Dani Pedrosa nuk i kursente kritikat teksa shtonte se në atë gjendje, garimi bëhet gjithmonë e më i vështirë në Austin.