Tashmë është bërë gjithcka zyrtare. nga sezoni i ardhshëm, Marc Marquez do t’i bashkohet Pecco Bagnaia tek Ducati zyrtar, Tetë herë kampioni i botës do të jetë pjesë e skuderisë “Nuvola Rossa” (me kontratë dyvjeçare) duke lënë kështu Gresinin, pas vetëm një viti. “I lumtur për të bërë këtë hap të madh”, ka përcjellë piloti spanjoll, përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në të gjitha kanalet zyrtare të Ducatit dhe vetë motoçiklistit. Në fjalët e tij të para, spanjolli është shprehur “shumë i lumtur që mund të përfaqësojë ngjyrat e kuqe të ekipit zyrtar të Ducati në MotoGP, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. “Praktikisht që në kontaktin e parë me Desmo-sedici GP më pëlqeu ngasja dhe menjëherë u përshtata mirë. Që nga ai moment kuptova se qëllimi im ishte të vazhdoja në këtë rrugë, të vazhdoja të rritesha dhe t’i bashkohesha skuadrës, ku Francesco Bagnaia u shpall kampion bote për dy vjet radhazi”. Tetë herë kampioni i botës më pas vazhdoi duke thënë se është një motivim plus, që të hedhë këtë hap të madh duke filluar nga viti 2025, teksa është mirënjohës për besimin që i është dhënë nga Ducati. Tani gjithsesi do të vazhdojmë të argëtohemi dhe të japim maksimumin në atë që ka mbetur nga sezoni aktual, që është prioriteti im për momentin”. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Ducatit, Luixhi Dal Inja, e arsyetoi zgjedhjen e bërë me Marquez, se në këtë mënyrë skuderia e kuqe do të ketë më tepër mundësi për t’u shpallur kampione, gjë që është edhe qëllimi kryesor i shtëpisë motociklistike nga Borgo Pani-gale.