Marc Marquez duket gjithmonë e më shumë “Zot” i këtij sezoni të Moto GP, teksa e mbylli pjesën e parë të kampionatit, me fitoren e nëntë të karrierës, në pistën e Sachsenring. Mirëpo, në një intervistë për të përditshmen “Marca”, spanjolli është kthyer të flasë për marrëdhënien me Valentino Rossi. Rivaliteti midis tij dhe italianit ka frymëzuar kampionin e botës në fuqi që të bëjë një krahasim me dy kampionët e futbollit, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo. “Messi e Ronaldo janë shumë të fortë. Po kështu ndodh edhe mes meje dhe Valentino, që duelojmë fort për fitore në çdo garë. Ky rivalitet i bën mirë kampionatit tone”, ka deklaruar spanjolli, I cili ka vlerësuar rivalin e tij, duke e konsideruar “të jashtëzakonshëm, edhe pse 39 vjeç”. “Ende nuk e kuptoj se si ia del mbanë, sepse fizikun mund ta stërvisë, por mendja, motivimi dhe aftësia për të menaxhuar garat është krejt tjetër gjë. Kjo është cmenduri dhe për këtë e admiroj shumë”, u shpreh Marquez.
Gjithsesi duket se mëritë me pesarezin nuk janë sheshuar plotësisht. Për një paqe mes të dyve do të duhet ende kohë. Marquez ka deklaruar se është gati të rikthejë marrëdhëniet si më parë, por kjo nuk varet vetëm nga ai. “Që pas asaj që ndodhi në 2015-n, gjërat dukeshin të zgjidhura. Por në Argjentinë u shfaqën sërish problemet. Kërkova falje e madje edhe u penalizova. Cfarë duhet të bëj tjetër?”, ka vijuar spanjolli. Ndërkohë, duke folur për shokun e skuadrës që pritet të ketë vitin e ardhshëm, Jorge Lorenzo, Marquez ka thënë se do të jetë një stimul për secilin që të tregojë se është më i fortë se tjetri. Ndërsa një mendim i tij ka shkuar edhe për Pedrosan, tërheqja e të cilit e ka trishtuar shumë, pasi ka qenë një hero për të gjithë brezin e dekadës së fundit të pilotëve të Moto GP.