Për herën e 6-të radhazi, Marc Marquez doli triumfues në garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë në Moto GP, që u zhvillua gjatë fundjavës në pistën e Sachsenring. Në këtë mënyrë, spanjolli hodhi një tjetër hap përpara drejt titullit kampion bote. Piloti spanjoll i Honda triumfoi në një garë, ku dominoi gjatë gjithë kohës, duke lënë pas italianin e Yamaha, Valentino Rossi. Italiani i nisur nga vendi i 6-të, bëri një garë të mirë, por për asnjë moment nuk arriti të duelojë me Marquez, që kishte një tjetër marsh. Në podium u ngjit edhe Yamaha e Maverick Vinales.
Pista gjermane është shndërruar në një monopol për Marquez, madje aty duket se ai ndihet si në shtëpi çka e tregoi edhe gara e së dielës, në të cilën spanjolli tregoi epërsi gjatë gjithë kohës. Kampioni i botës në fuqi tregoi se është superior, duke u shkëputur dhe nuk kishte asnjë nw ndjekje qw ta rivalizonte. Tentoi Rossi, por shpejt italiani u detyrua të kënaqej me vendin e dytë. Më e bukur beteja për vendin e tretë, ku në fund Vinales mposht Petruccin. Tashmë renditja e përgjithshme vazhdon të kryesohet nga Marquez me 165 pikë, i ndjekur në vend të dytë nga Rossi që ka 46 pikë më pak. Beteja e ardhshme është ajo e cirkuit të Brno në Çeki, më 5 gusht.