Jorge Lorenzo nuk po jep atë që pritej te Ducati që kur u transferua tek skuderia italiane sezonin e kaluar. 3 herë kampioni i botës zhgënjeu edhe në garën e parë të këtij viti, në Katar, të cilën nuk ia doli dot ta përfundonte. Paraqitja e Lorenzos ka ngritur jo pak dyshime rreth pritshmërive ndaj tij, pasi në testet përpara fillimit të sezonit, spanjolli ishte më i shpejti në Sepang, duke dhënë përshtypjen se ky mund të ishte viti i duhur.
Megjithatë, gjërat duket te kenë mbetur njësoj si vitin e kaluar, ku nga ana tjetër, shoku i tij i skuadrës, Andrea Dovizioso fitoi garën e parë sezonale.
Prej kohësh tek Ducati diskutohet çështja e diferencimit që është bërë mes dy pilotëve. Lorenzo paguhet rreth 7 milionë euro në sezon, kurse Dovizioso vetëm 2.5 milionë, duke sjelle pakënaqësi tek italiani, pasi rezultatet e mira për Ducatin vazhdojnë të vijnë prej tij.
Nga ana tjetër, Lorenzo në fund të këtij sezoni përfundon kontratën me Ducati, por kjo nuk e shqetëson 30-vjeçarin aspak. Madje ai thekson se do të jetë thjesht një humbje kohe të mendohet që tani për çështjen e rinovimit. Sipas tij, në rast se rezultatet deri në fund të sezonit do të jenë të mirat, atëherë ai mund të pretendojë diçka më shumë në kontratën e re, por është mëse i ndërgjegjshëm se në rast të kundërt do t’i duhet të pranojë uljen e pagës. Lorenzo është shprehur se mbetet i fokusuar vetëm tek garat dhe se do të kërkojë të realizojë objektivin e tij, për t’u shpallur kampion me skuderinë Ducati.